Mbledhja e Partisë Demokratike të Kosovës, e paralajmëruar sot edhe nga kryetari i kësaj partie Memli Krasniqi, ka nisur tashmë.
Në këtë mbledhje, siç ka deklaruar vetë Krasniqi sot pas dështimit të 12 të seancës konstituive të Kuvendit, do të diskutohet edhe propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për krijimin një qeverie nacionale tranzitore.
“Ju e dini që s’i kam ikë asnjë takimi. Unë e kam takuar edhe Albin Kurtin. Normalisht që kolegët e ish-opozitës i takoj edhe më lehtë dhe edhe më me dëshirë”, ka thënë Krasniqi.
Ndryshe, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, propozoi të martën që të gjitha partitë të merren vesh për një qeveri gjithpërfshirëse të tranzicionit deri në zgjedhjen e presidentit.