Njohësi i integrimeve evropiane: Qeveria gaboi që në fillim me strategjinë për KiE

10:36 | 16 Maj 2025
njohesi-i-integrimeve-evropiane:-qeveria-gaboi-qe-ne-fillim-me-strategjine-per-kie

Njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, ka deklaruar për “Front Online” se orientimi diplomatik i Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka qenë i gabuar që në fillim.

Sipas Arifit, qeveria ka ofruar më shumë sesa duhej dhe ka dështuar në ndërtimin e një strategjie efektive për të siguruar mbështetje nga partnerët strategjikë.

“Orientimi i qeverisë ka qenë i gabuar në formën se si ka ndarë të bëhen anëtarë në KiE, kanë ofruar shumë më shumë se sa që mund të merrnim, partnerët strategjik kërkuan nga Kosova një gjë që nuk do duhej të ishte si kriter për tu bërë anëtarë në Këshillë të Evropës dhe këtu qeveria ka gabuar hapat diplomatik që i ka ndërmarr në atë kohë dhe kanë mbet kërkesat e vitit të kaluar”, deklaroi Arifi.

Arifi shprehet se dy kushte kryesore janë të përmendura nga partnerët ndërkombëtarë.

“Kushtet kryesore për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ishin zbatimi i vendimit të Kushtetueses për kthimin e pronave të Manastirit të Deçanit dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, përfundoi Arifi.

Më 16 prill të 2024-tes, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka mbështetur raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

Autorja e raportit, Dora Bakoyannis, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe çështjen e formimit të Asociacionit e ka konsideruar si temë të brendshme të Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Komento: