Nobelisti David J. Wineland ka dhënë një intervistë për Klan Kosovën ku ka folur për punën e tij por edhe për rrugëtimin drejt suksesit të tij si shkencëtar.
Winelandi fitoi Çmimin Nobel në Fizikë në vitin 2012, përkrah Serge Haroche-s, me motivacionin për “metodat novatore eksperimentale që mundësojnë matjen dhe manipulimin e sistemeve individuale kuantike”.
I pyetur se çfarë këshille ka për shkencëtarët nga Kosova që kanë ambicie të mëdha por që mund të ndihen të privuar për shkak se vijnë nga një vend i vogël, ai u tregua mjaft optimist.
“E kuptoj që një gjë e tillë mund të paraqesë problem. Mendoj se kam qenë mjaft fatlum që jam rritur në Shtetet e Bashkuara ku ekzistojnë shumë mundësi. Por, njerëzit që i njoh që vijnë nga prapavija relativisht të disavantazhuara, nga shtete të ndryshme”. ka thënë Wineland për Klan Kosovën.
“Mendoj se ata u bënë të suksesshëm sepse kishte një vend për ta si shkencëtarë, dhe ndoshta nuk do të kishin një punë ideale në vendin e tyre, por gjithmonë do të ketë një vend për ata që e ndjekin atë që duan, dhe që janë në nivele të larta në fushën që kanë zgjedhur. Unë për vete kam pasur kënaqësinë ta bëj këtë”.
“Dhe po, për çdo shkencëtar të ri që është duke dëgjuar këtë, unë ju inkurajoj të vazhdoni, do të keni ulje dhe ngritje gjatë rrugës. Por nëse ju pëlqen, do t’ia dilni shumë mirë, mendoj”.