Pas shkuarjes në Moskë, deputetë britanikë kërkojnë sanksione ndaj Vuçiqit: Kërcënim serioz për stabilitetin në Ballkan

16:55 | 13 Maj 2025
pas-shkuarjes-ne-moske,-deputete-britanike-kerkojne-sanksione-ndaj-vuciqit:-kercenim-serioz-per-stabilitetin-ne-ballkan

Deputetja britanike Emma Lewell, së bashku me një grup parlamentarësh ndërpartiakë, i ka drejtuar një letër Sekretarit të Jashtëm britanik, David Lammy, për të shprehur shqetësimin e thellë lidhur me pjesëmarrjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në paradën ushtarake të mbajtur në Moskë më 9 maj.

Letra, e bërë publike sot, kritikon ashpër afrimin e Serbisë me Rusinë dhe dështimin e saj për të vendosur sanksione ndaj Kremlinit, ndonëse është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas deputetëve britanikë, qëndrimi i Vuçiqit përbën një kërcënim serioz për stabilitetin në Ballkan dhe nxit ideologjinë ekspansioniste të “Serbisë së Madhe”.

“Presidenti Vuçiq ka thelluar marrëdhëniet me Putinin dhe ka ndihmuar në destabilizimin e Kosovës, Bosnjës dhe më gjerë në rajon”, thuhet në letër. Deputetët përmendin gjithashtu regresin demokratik në Serbi, përfshirë shtypjen e opozitës, lirinë e medias dhe korrupsionin në rritje.

Në letër thuhet se pjesëmarrja e Vuçiqit në paradën në Moskë “dëshmon se qeveria e tij nuk ka interes të shkëputet nga Rusia”, duke refuzuar kështu përpjekjet e deritanishme të qeverive perëndimore për ta afruar Serbinë drejt Perëndimit dhe vlerave demokratike.

Në këtë kontekst, deputetët britanikë i kërkojnë qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të ndryshojë qëndrim ndaj Beogradit, duke propozuar vendosjen e sanksioneve të drejtpërdrejta ndaj presidentit Vuçiq dhe rrethit të tij të ngushtë.

“Po dështojmë të japim një përgjigje të qartë. Nëse nuk veprojmë, rrezikojmë të forcojmë regjimin e Vuçiqit dhe të dështojmë në ruajtjen e paqes në një rajon të brishtë si Ballkani”, thuhet në letrën e deputetëve.

Komento: