Sot do të bëhet përpjekja e 12’të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Seanca do të fillojë në orën 10:00. Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë dhënë sinjale se do të vazhdohet me propozimin për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arrritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61. LDK ka dalë sot me një propozim për zgjidhjen e ngërçit
Përpjekje tjetër për konstituimin e Kuvendit do të ketë sërish sot. Seanca konstituiv do të vazhdojë në orën 10:00.
Në tri seancat e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar ta ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë.
Secilën herë kjo është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë Komisioni.
Edhe nesër pritet të ndodhë e njëjta gjë. Për këtë ka dhënë sinjale deputeti Hekuran Murati.
Ai e ka lidhur me votimin në Bundestag për Kancelarin e Gjermanisë, ku Friedrich Merz u zgjodh sot me votim të fshehtë.
Sipas Muratit, e njëjta formë votimi do të duhej të ishte edhe në Kosovë për të mundësuar zgjidhjen e ngërçit.
„Votimi i fshehtë është formë demokratike për shprehje të vullnetit të lirë të deputetëve, dhe do të mundësonte zgjidhjen e ngërçit për konstituim të Kuvendit edhe tek ne. Bllokada që opozita po vazhdon t’ia bëjë konstituimit të Kuvendit është jashtë çdo arsyeje. Është për t’u marrë shembull sjellja e partive gjermane, që, megjithëse votimi për Kancelar në herën e parë dështoi të prodhonte rezultat, askush nuk e bëri temë ndërrimin e kandidatit dhe askush nuk kërkoi qeveri tranzicioni“, ka shkruar Murati.