Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës, i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, lidhur me një incident të ndodhur më 22 prill 2025 në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Pejë.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia Rajonale në Pejë, më 22 prill rreth orës 12:20 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në këtë rrugë. Njësitet policore kanë reaguar menjëherë, mirëpo i dyshuari nuk është hasur në vendin e ngjarjes. Pas koordinimit me prokurorin e shtetit, janë ndërmarrë kontrolle dhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit.
Hetuesit kanë intervistuar viktimën e rastit, i cili ka deklaruar se ndaj tij është shtënë me armë zjarri, por për fat të mirë nuk ka pësuar lëndime.
Pas një pune intensive hetimore, sot më 13 maj 2025, policia ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin. Gjatë arrestimit, tek ai janë gjetur dhe sekuestruar një armë pistoletë Blowfog kalibër 9 mm, një karikator dhe dy fishekë të të njëjtit kalibër.
I dyshuari është intervistuar nga hetuesit dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.