Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi dhe Presidenti i Demokracisë së Re Serbe, politikani pro-serb Andrija Mandiq, deklaroi sot se ministri i jashtëm malazez, Ervin Ibrahimoviq, votoi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kjo, tha ai, ndodhi në një takim të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës në Luksemburg, teksa tha se kështu është sfiduar marrëveshja e koalicionit dhe “duke rrezikuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Serbinë”.
Ai theksoi se qeveria në Podgoricë mbështet hyrjen e Malit të Zi në BE, dhe jo, siç thotë ai, “përmbushjen e ambicieve të politikës së jashtme të politikanëve shqiptarë” nga Kosova.
E Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi mohoi më vonë se vendi votoi për pranimin e Kosovës në KiE, duke theksuar se kërkesa e Prishtinës zyrtare nuk ishte në rendin e ditës të sesionit të 134-të ministror të Komitetit të Ministrave të martën dhe të mërkurën në Luksemburg, kështu që nuk mund të ketë pasur një votim nga shtetet për këtë çështje.
Në një përgjigje për “Vijesti”, ministria malazeze theksoi se “informacioni i raportuar nga disa media në Mal të Zi se dje ka pasur një votim në Këshillin e Evropës për këtë temë është plotësisht i pasaktë” dhe tha se “prandaj, reagimet e subjekteve politike” në lidhje me këtë temë janë gjithashtu të pakuptimta.
Ministria shtoi se në kuadër të diskutimit mbi temën “Roli i Këshillit të Evropës në Kontekstin e Ri Gjeopolitik”, lidhur me çështjen e zgjerimit të anëtarësisë së Këshillit të Evropës, Mali i Zi theksoi angazhimin e qeverisë së tij ndaj integrimit evropian dhe qëllimin e tij për t’u bërë anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028, si dhe “theksoi rëndësinë e ofrimit të mbështetjes për vendet që janë të gatshme të ndërtojnë kapacitete demokratike në përputhje me standardet evropiane, për t’u bërë anëtare të Këshillit të Evropës”.
Ministri i jashtëm malazez, Ibrahimoviq njoftoi dje, në kuadër të seancës së Komitetit të Ministrave, se Mali i Zi, si një shtet anëtar përgjegjës, do të vazhdojë të promovojë fuqishëm vlerat e multilateralizmit, si dhe qëllimet dhe parimet strategjike të Këshillit të Evropës, dhe se, në këtë drejtim, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të mbështetet, por kërkesa e Prishtinës për anëtarësim nuk u vendos në rendin e ditës të takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. /Klankosova.tv