Analisti politik Xhevdet Pozhari për FrontOnline ka komentuar takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani më 15 maj, duke shprehur skepticizëm për efektivitetin e këtij takimi në zgjidhjen e ngërçit aktual politik.
Sipas tij, mungesa e pjekurisë politike dhe papërgjegjësia që po tregojnë partitë politike e vë në pikëpyetje mundësinë për ndonjë kompromis të qëndrueshëm.
“Me këtë papjekuri dhe papërgjegjësi politike të cilën janë duke e treguar të gjitha partitë për konstituimin e Parlamentit të Kosovës, edhe tentativa e Presidentes për t’i shtyrë palët drejt një kompromisi për tejkalimin e kësaj situate që ngjan në ‘shfaqje të fëmijëve’, kam drojën se më shumë do të prodhojë një episod të ri për akuza dhe kundërakuza, sesa zgjidhje,” ka deklaruar Pozhari.
Ai shtoi se nuk do të duhej të ishte i nevojshëm një ndërmjetësim presidencial për një proces që lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësitë e partive politike dhe mirëfunksionimin e institucioneve.
“Ata të cilët e kuptojnë rëndësinë e funksionimit të institucioneve shtetërore nuk do të duhej të kishin nevojë për ndërmjetësues për t’u kuptuar.” shtoi Pozhari.
Pozhari përdori edhe një shprehje simbolike për të përshkruar gjendjen aktuale politike në vend.
“Shumica flasin shqip, nuk kanë nevojë as për përkthyes! Por, çështja siç duket është se nuk mendojnë ‘shqip’, në të kundërtën nuk do të krijonin një situatë të tillë ku dëmtohet interesi i shtetit dhe i qytetarëve.” ironozio ai.