Mediumi “Kallxo.com” ka publikuar një artikull, në të cilën zbulohet prapavija e investitorëve që fituan kontratën e Ministrisë së Bujqësisë për fabrikën e mbetjeve të kafshëve.
Aty thuhet se njëra nga kompanitë që ka fituar kontratë figuron e regjistruar në Podgoricë të Malit të Zi. Megjithatë, medium raporton se kompania amë e saj është në Beograd dhe se pronar është një shtetas i Serbisë.
Aty thuhet se biznesmeni me shtetësi serbe u tërhoq nga investimi, pak ditë pasi qeveria nënshkroi kontratë me konzorciumin që fitoi kontratën.
“Hulumtimi i #KallxoPërnime zbuloi se kompania pak ditë pasi fitoi kontratën për përpunimin e nënprodukteve shtazore vendosi t’i shes aksionet e veta me vetëm 3 mijë euro.
Dosja zbardhë se kompania me seli në Podgoricë dhe Beograd i shiti 20% të aksioneve tek kompania “Arches Bau”, që ka aksionarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut dhe 10% të aksioneve tek Naser Maloku” – thuhet në artikull.
Në lidhje me këtë, ka folur edhe Faton Peci, ministri në detyrë, duke thën se “nuk e ka ditur një gjë të tillë”.
“Jo nuk e kam ditë, për herë të parë po dëgjoj nga ju. Nuk e njoh askënd nga pronarët, nuk më takon mua me i hi me shpalos dokumentacionin e konsorciumit” – ka deklaruar ai.