Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në rrugën “B” në Prishtinë, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur.
Prokurori kujdestar, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.
Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria ka iniciuar procedurë penale me kallëzim penal si “Hetim mbi vdekjen”, me qëllim të sqarimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Sipas informacioneve të siguruara nga IndeksOnline, bëhet fjalë për Festim Isufin, i cili dyshohet se fillimisht ka therur me thikë të dashurën e tij, Rina Malokun, dhe më pas ka qëlluar veten me të njëjtën armë.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, konfirmoi për FrontOnline se rreth orës 15:00 është raportuar për dy persona të lënduar në një ndërtesë në rrugën “B”.
Policia dhe ekipet emergjente kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e mashkullit 34-vjeçar, ndërsa femra 30-vjeçare është dërguar për trajtim mjekësor. Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se lëndimet janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë, konkretisht thikë.
Pas përfundimit të ekzaminimeve nga ekipi i forenzikës, trupi i pajetë i viktimës është larguar nga vendi i ngjarjes.