Partia Socialdemokrate ka reaguar pas konferencës së sotme të kryetarit të LDK’së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se refuzimi është përgjigja e duhur ndaj Kurtit.
“Refuzimi është përgjigja e duhur ndaj Kurtit. Kështu paska bërë sot Kryetari i LDK-së, z.Abdixhiku. Nuk po flasim thjesht për një përgjigje mohuese. Është renditja e arsyeve çfarë ka rëndësi. Abdixhiku e ka nisur mbarë duke filluar me sulmin ndaj demokracisë, lirisë së shprehjes, ka përmendur kapjen insitucioneve të pavarura e kushtetuese, e deri te rrezikimi i sigurisë nacionale e aleancave strategjike ku mbështetet Kosova. Janë këto arsyet qenësore pse Kurti duhet refuzuar, dhe jo inatet që vijnë nga përditshmëria politike.”
PSD tutje thotë se propozimi i LDK’së është një rrugë e pamundur.
Nga kjo parti kanë thënë se “dikush që e sulmon demokracinë, që cënon fjalën e lirë, që kapë insitucionet e pavarura nuk ta dorëzon pushtetin përmes konsultimeve”.
PSD shton se ajo çfarë shohim në formë propozimi është “mungesë e gatishmërisë për të marrë përgjegjësi”.
“Abdixhiku nuk ka iluzione. Ky propozim nuk është rruga përpara. Çfarë shohim në formë propozimi, në fakt është një mungesë: mungesa e gatishmërisë për të marrë përgjegjësi. Quhet shumicë parlamentare e opozitës së kaluar që e krijon Qeverinë e re.”