Rafuna i kërkon ZRRE-së shtyrjen e vendimit për shtrenjtimin e rrymës

17:23 | 16 Maj 2025
rafuna-i-kerkon-zrre-se-shtyrjen-e-vendimit-per-shtrenjtimin-e-rrymes

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, është takuar me Bordin e ZRrE-së për të diskutuar shqetësimet e sektorit privat në lidhje me procesin e daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Bëhet e ditur se gjatë takimit, Rafuna ka paraqitur qëndrimet dhe kërkesat e bizneseve, duke theksuar nevojën urgjente për shtyrjen e zbatimit të vendimit të shtrenjtimit të çmimit të energjisë prej 16.1% për të paktën një vit.

“Kjo periudhë do të shërbente si fazë tranzitore, me qëllim që bizneset të kenë kohë të përshtaten me rrethanat e reja të tregut dhe që të mund të përgatitet infrastruktura ligjore dhe teknike për funksionim të plotë të tregut të lirë”.

“Megjithëse e kuptojmë nevojën për investime në rrjetin energjetik, mbulimi i kësaj faze të tranzicionit duhet të shoqërohet me mbështetje institucionale, në këtë rast nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për të mundësuar shtyrjen e vendimit për daljen në tregun e lirë për bizneset që punësojnë mbi 50 persona apo kanë qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Rafuna tha se shtyrja e një vendimi të tillë do të ishte në funksion të mbrojtjes së bizneseve vendore, ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve të vendit.

Komento: