Raportuesi për Kosovën në PE paralajmëron risi në dialogun Kosovë-Serbi

19:15 | 17 Maj 2025
raportuesi-per-kosoven-ne-pe-paralajmeron-risi-ne-dialogun-kosove-serbi

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka thënë se Kosova është në rrugë të mirë dhe se këtë e ka potencuar edhe raportin e tij.

Terras thotë se si pushteti, ashtu edhe opozita janë shumë të interesuar në integrimet evropiane. Por, thotë se këtë dëshirë e kanë edhe qytetarët e Kosovës.

Megjithatë, ai thotë se për të hartuar raporte të tilla duhet t’i shihen të gjitha anët dhe thotë se kanë identifikuar disa gjëra të cilat mund të përmirësohen.

“Liria e mediave njëra ndër to. Raporti ka dalë para se të publikohej ky raporti i fundit i Reporterëve pa Kufij, kemi parë se ka pasur probleme, rënia e Kosovës për 24 vende në këtë indeks është diçka që e dëshmon nevojën që Kosova ka për ta përmirësuar lirinë e medias, që është një ndër elementet bazike të sundimit të ligjit”, u shpreh Terras, për Klan Kosova.

ÇNdër të tjera, ai thotë se kanë vënë re që Qeveria tashmë e dorëhequr e Kosovës po e lufton korrupsionin, por shton se “ka ende punë për t’u bërë”.

Terras tha se në raport është prekur edhe tema mbi dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i cili, sipas tij nuk po shkon mirë, ndërsa shton se i njëjti është parakusht për integrimin evropian.

“E kuptoj qëndrimin e Kosovës dhe e kuptoj që Serbia nuk po e bën punën e saj por është e rëndësishme që dialogu të vazhdojë, është e rëndësishme për procesin si tërësi. Nuk më takon mua të vendos, unë thjesht raportoj për atë se në çfarë niveli e gjendje janë gjërat, por nga ana e Komisionit është caktuar tashmë një ambasador i ri, ambasadori Peter Sorensen i cili ka shumë përvojë në rajon dhe që ka top-detyrë t’i sjellë të dyja palët sërish në tavolinën e bisedimeve”.

“Nga ana e Parlamentit jemi duke e konsideruar mundësinë e fillimit të bisedimeve ndërmjet politikanëve, pra deputetëve, bisedime ndërmjet dy parlamenteve duke qenë se Parlamenti Evropian do të mund të ishte ndërmjetësues i këtyre bisedimeve por gjëja kryesore patjetër është ajo se përfaqësuesja e lartë Kallas dhe stafi i saj duhet të punojnë për këtë temë”, deklaroi Riho Terras.

Komento: