Të hënën një foshnje e porsalindur u gjet brenda një qeseje pranë deponisë së mbeturinave në Matiqan. Më pas, mjekët konstatuan se ajo është pa shenja jete. Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë thënë se po ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me çështjen.
“Ju njoftojmë, se prokurori i shtetit është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me këtë çështje.”
Nga Prokuroria nuk janë përgjigjur nëse janë identifikuar prindërit e saj dhe nëse është intervistuar ose arrestuar dikush.
Në ditën që ndodhi rasti, Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, tha se Policia është lajmëruar rreth orës 11:00.
“Sot rreth orës 11:00, policia ka pranuar informatën lidhur me dyshimet për një foshnje të braktisur në afërsi të deponisë së mbeturinave në rrugën “Qëndresa” në Prishtinë. Të gjitha njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar se foshnja e porsalindur është pa shenja jete. Përderisa trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, me seriozitet është duke u trajtuar rastin dhe ka iniciuar një hetim mbi vdekjen”, ka thënë Borovci të hënën për Gazetën Express.
Ndërsa në raportin 24 orësh, dje Policia ka bërë të ditur se për rastin janë informuar nga një dëshmitar.
Rasti është cilësuar “Hetim mbi vdekjen”.
“HETIM MBI VDEKJEN- Prishtinë – Më 19.05.2025. Dëshmitari mashkull kosovar ka njoftuar se kishte gjetur një foshnje të braktisur. Në vendngjarje kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe ekipi i emergjencës, ku mjeku ka konstatuar vdekjen. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar nga njësitet relevante.”
Një nga dëshmitarët ka rrëfyer momentin e tmerrshëm kur e gjetën trupin e foshnjes.
“Me shokun tem jam kanë dhe ai e ka parë qenin me një qese në gojë. Unë isha në oborr të tij dhe ka vrapuar, më ka thënë ‘leji ata hekra se po më duket një fëmijë i vdekur’. Jam shkuar dhe e kam parë, këmbët i kishin dalë jashtë qeses, dhe e pashë që fëmija ishte i vdekur”, tregoi dëshmitari në Klan Kosova.