Raportin e vitit 2023 të Reporterëve pa Kufij që kishte treguar se Kosova ka shënuar progres sa i përket lirisë së mediave, kreu i LVV-së, Albin Kurti, e kishte përdorur. Ishte lavdëruar me të. Por gjërat ndryshuan tmerrësisht keq në dy vitet në vazhdim. Pas një rënie në vitin 2024 prej 19 vendesh, Kosova kapi një rekord historik për të keq duke u renditur në rajon e fundit, më keq edhe se Serbia, shkruan Gazeta Express.
Sulmet politike dhe qasja armiqësore ndaj gazetarëve nga partia në pushtet kishin theks të veçantë në gjetjet e Raportit dhe kjo barrë e rëndë për dëmtimin e lirisë së shprehjes i ngarkohej pashmangshëm Qeverisë Kurti dhe partisë Lëvizja Vetëvendosje.
Duke parë një regres të tillë të madh, reagimet e shumta dhe shqetësimet e ngritura edhe nga organizatat e gazetarëve, si AGK dhe EFJ, zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe të partisë që Kurti drejton ishin mobilizuar për të sulmuar organizatën “Reporterët pa Kufij” duke tentuar të vënë në pikëpyetje kredibilitetin e raportit të tyre vjetor për Kosovën.
Shefi i stafit të Kurtit, Luan Dalipi, u mor me metodologjinë që ishte përdorur nga RSF dhe sipas tij indeksi i Reporterëve pa Kufij ka shumë të meta. Zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, tha se të dhënat e raportit janë vështirë të besueshme dhe s’përputhen me realitetin në terren.
Reagimi i shefit të Stafit të kryeministrit në dorëheqje, Luan Dalipi në ‘facebook’
Reagimi i zëdhënësit të Qeverisë, Perparim Kryeziu.
Për gjithë këto sulme të zyrtarëve të Qeverisë Kurti rreth raportit dhe organizatës Reporterët pa Kufij në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express ka folur udhëheqësi i Zyrës së kësaj organizate për Ballkanin Perëndimor, Pavlo Szalai. Ai ka thënë se në vend të kritikave dhe vendosjes ne pikëpyetje të metodologjisë dhe indeksit të Reporterëve pa Kufij, Qeveria duhet të marrë analizën e organizatës si një thirrje për veprim dhe për të dëgjuar propozimet te AGK-së për të krijuar një grup pune për lirinë e shtypit.
Szalai ka thënë se në vitin 2023, kur kishte komentuar Indeksin, kryeministri i Kosovës kishte premtuar se do të punonte për të përmirësuar edhe më tej situatën, por thotë se ka bërë edhe më keq.
“Në vitin 2023, kur e kishte komentuar Indeksin, Kryeministri Albin Kurti premtoi ndryshime pozitive, por Qeveria e tij e bëri saktësisht të kundërtën”, ka thënë ai për Gazetën Express.
Udhëheqësi i Zyrës së “RSF” për Ballkanin Perëndimor ka thënë se autoritetet kosovare duhet të propozojnë masa sistematike për të mbrojtur lirinë e shtypit, gjë që është në interes ë qytetarëve dhe të drejtës për t’u informuar dhe integrimit të Kosovës.
Szalai ka thënë se ajo çfarë ndodhi pasi u publikua Raporti i Reporterëve pa Kufij, i ka konfirmuar gjetjet e raportit, meqë pati menjëherë përpjekje nga Qeveria për të vendosur në pikëpyetje kredibilitetin e medias, gazetari i T7, Genc Godanci, është penguar fizikisht nga sigurimi i Kurtit kur ka dashur të marrë një deklaratë të Kurtit për Raportin e Reporterëve pa Kufij, dhe gjithashtu gazetarët e AGK-së janë ankuar për sulme pas qëndrimit për regresin e madh të lirisë së medias në Kosovë.
Duke qenë se zyrtarë të Qeverisë dhe zyrtarë të partisë së Kurtit janë munduar të diskreditojnë raportin duke sulmuar edhe respodentët që kanë plotësuar pyetësorin e Reporterëve pa Kufij, meqë sipas tyre “janë kundër Kurtit”, Slazai ka thënë se s’mund të zbulojë identitetin e respodentëve por se “garanton që ata janë ekspertë të mediave të cilat s’kanë asnjë lidhje me partitë politike”.
Shumë nga ata që kanë ngritur pikëpyetje për kredibilitetin e raportit të Reporterëve pa Kufij, përfshirë edhe zëdhënësin e Qeverisë, meqë sipas tyre Kosova s’mund të jetë më keq se Serbia, drejtuesi i Reporterëve pa Kufij për Ballkanin Perëndimor ka thënë se të dy vendet janë shumë afër me njëra tjetrën.
Szalai ka thënë se presioni politik ndaj gazetarëve është shumë më i fortë në Serbi sesa në Kosovë, megjithatë thotë se situata në Kosovë ka shënuar një përkeqësim të ndjeshëm.
Sa i përket indikatorit ekonomik, Kosova është më keq se Serbia, e që nënkupton se sa i përket aspektit ekonomik, gazetarët në Serbi mund të marrin frymë më lirshëm.
Sa i përket pasigurisë, Kosova del dukshëm më keq sesa Serbia, që përkthyer në pikë i bie 53 me 80. Szalai thotë se kjo mund të vijë si rezultat i kornizës së dobët për ndjekjen e sulmeve ndaj gazetarëve dhe incidenteve në Veri, që kanë cak mediat edhe në gjuhën shqipe edhe në gjuhën serbe.
Gjithashtu Szalai përmend edhe përgjimet e gazetarëve sikurse në Serbi, meqë një gazetari në Kosovë i është gjetur një pajisje përgjimi dhe shteti ende s’e ka zgjidhur si rast. Dhe në fund përmend edhe sulmet në rritje ndaj gazetarëve, që janë evidentuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.