Gjermania ka lëshuar mbi 18 mijë viza gjatë vitit 2024 për qytetarët e Kosovës, një shifër kjo që konfirmon se kosovarët po vazhdojnë ta shohin si zgjidhje për një jetesë më të mirë largimin nga vendi.
Edhe pse Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, kishte deklaruar se po ndalon ikjen e qytetarëve, sidomos të të rinjve, rreth 10 mijë nga këto viza janë lëshuar për qëllime punësimi, transmeton Nacionale.
Statistikat tregojnë se përveç vizave të punës, janë dhënë edhe mijëra viza për ribashkim familjar.
· 4,499 viza për ribashkim të bashkëshortëve,
· 3,777 viza për ribashkim të fëmijëve,
· 40 viza për ribashkim prindëror.
Gjermania ka dhënë 190 viza për studime dhe 8 për kurse të gjuhës.
Ndërkohë, numri më i lartë i vizave i përket atyre për punë – 9,918 viza pune për qytetarët e Kosovës janë lëshuar vetëm gjatë vitit 2024, transmeton Nacionale.
Për qëllime të tjera qëndrimi, janë dhënë 128 viza.
Theksojmë se nga 1 janari i vitit 2024, kosovarët kanë fituar të drejtën për të lëvizur pa viza për qëllime turistike apo të biznesit në zonën Schengen.
Të dhënat tregojnë një trend të rritjes së vizave të punës gjatë viteve të fundit.
Sipas raportimit të Gazetës Nacionale, në vitin 2021, Gjermania kishte lëshuar 4,442 viza pune, ndërsa mbi 7,000 viza të tjera ishin për bashkim familjar.
Në vitin 2022, ky numër u dyfishua, duke arritur në 9,309 viza pune, ndërsa në vitin 2023 u dhanë 8,932 viza pune për qytetarët kosovarë.
Paralajmërimi i ambasadorit gjerman
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdimësi ka deklaruar se ka më shumë njerëz që po kthehen në vendlindje, derisa zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, kishte thënë se “vetëm gjyshet po dalin e po shkojnë te nipat”.
Megjithatë, në fund të vitit që lamë pas, ambasadori gjerman u bëri me dije se nuk qëndron puna kështu. Ai qartë kishte deklaruar se shifrat e vizave të lëshuara janë të larta.
“Dhe,do të doja të thoja, nëse BE-ja nuk zgjerohet te Ballkani Perëndimor, qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë të shpërngulen në BE…Dhe nëse i shikoj numrat e vizave tona, janë po aq të lartë sa viteve të kaluara. Kjo nuk është e mirë për rajonin. Kjo shkon për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor” – kishte thënë Rohde, transmeton Nacionale.