Çmimet e shumë produkteve bazë janë rritur.
Në dyqanet e produkteve ushqimore sot çmimi për një pako me 30 kokrra vezë varionte nga 3.59 euro deri në 4.19 euro.
KALLXO.com raporton se në disa nga dyqanet ushqimore ku 30 vezë në vende të ndryshme kushtuan 3.59 euro, 3.69 euro, 3.79 euro, 3.99 euro dhe 4.19 euro.
Këto çmime janë rritur, shkaku i ngritjes së çmimeve të komponentëve kryesor të cilat përdoren për ushqimin e pulave.
Kështu ka deklaruar Pronari i Kompanisë “Konsoni” Zef Pjetri.Pjetri ka thënë për KALLXO.com se ushqimi për pula është rritur në 100 për qind.
“Baza e ushqimit për pula dhe prodhimin e vezëve është misri, soja, lule dielli. Këto janë tri komponentët kryesore pa hy në komponentë më të imëta. Nëse e krahasojmë me vitin 2020 çmimi i misrit është 94 për qind më i shtrenjtë sot sesa në vitin 2020. Ose ka qenë 170 euro toni i misrit, sivjet ka arritur deri në 380 euro. Soja 330 deri 360 toni para pandemisë për momentin është 600 deri 650 euro ka lëvizur këta tre muajt e fundit. Lulja e diellit ka qenë deri 170 euro një ton tash është 380 deri 420 euro një ton. Një pjesë tjetër e ushqimit është vaji ushqimor 1 ton vaj e kemi marr 600 euro, tash një ton vaj është 1700 deri 1900 euro me shumicë për një ton”, tha ai.
Pjetri, tha se prej këtyre komponentëve për ta bërë koncentratin e pulave në vitin 2020, një ton koncentrat për tu prodhuar ka kushtuar nga 230 deri 250 euro. Ndërsa, këtë vit sipas tij është 400 deri në 450 euro toni.
“Është rrit 100 për qind ushqimi”, shtoi ai.