Deputeti i LDK-së, Berat Rukiqi ka reaguar ndaj deputetit Murati, duke e akuzuar atë dhe kolegët e tij për paaftësi dhe arrogancë në menaxhimin e çështjeve ekonomike.
Rukiqi thekson se, si ministër në detyrë i Financave, Murati refuzoi ndarjen e një subvencioni prej 15 milionë eurosh për mbulesën e tarifave të energjisë për bizneset, duke lejuar që ato të dalin në treg të derreguluar me çmime që arrijnë deri në 300% më të shtrenjta.
Ai e cilëson këtë veprim si një dështim të rëndë që po e paguajnë bizneset dhe qytetarët.
Postimi i plotë:
Deputeti Murati, bashkë me kolegët e vet, në vend të mbajtjes së “leksioneve” amatoreske për çështje kushtetuese, duhet të jep llogari, pse bizneset do të paguajnë 260% – 300% më shtrenjtë energjinë elektrike.
A e dini pse? Ky deputet, sa ka qenë Ministër i Financave, bashkë me kolegët e vet, ka refuzuar të ndajë një subvencion 15 milionë, për mbulesë të një pjesë të tarifave, subvencion që do të parandalonte daljen e bizneseve në treg të derreguluar, me çmime 300% më të shtrenjta.
Fort shtrenjtë, jemi duke e paguar paaftësinë dhe arrogancën e tij dhe të qeverisjes së tyre.