Selmanaj: Zgjedhjet e 2025-ës, më të këqijat që nga viti 2010

21:45 | 22 Maj 2025
selmanaj:-zgjedhjet-e-2025-es,-me-te-keqijat-qe-nga-viti-2010

Anëtari i kryesisë së LDK-së dhe ish-deputeti, Driton Selmanaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se zgjedhjet e vitit 2025 kanë qenë ndër më të dështuarat në historinë e Kosovës, duke i cilësuar si proces të “demoluar” nga fillimi deri në fund.

Ai theksoi se, sipas përvojës së tij shumëvjeçare me zgjedhjet, këto kanë qenë më të këqijat që nga viti 2010 dhe se KQZ-ja ka dështuar plotësisht.

“Administrimi i zgjedhjeve të vitit 2025 është më i keqi që nga viti 2010, kur ka pasur vjedhje industriale të votave, dhe këtu ka dështuar KQZ-ja katërcipërisht”, tha Selmanaj.

Selmanaj shtoi se mungesa e debatit publik ka ardhur sepse shumë aktorë politikë ishin të përfshirë dhe vendosën ta heshtin këtë çështje.

“Ndoshta me ose pa vetëdije, dhe pa dijeninë e krerëve të partive, kanë vendosur ta heshtin. Përndryshe, procesi ka qenë dështim total teknik – kamerat nuk janë lëshuar fare ose nuk kanë kapur procesimin e të dhënave”, u shpreh Selmanaj.

Ai përmendi edhe probleme të theksuara me votimin nga diaspora dhe përpunimin e të dhënave zgjedhore.

“Votimi në ambasada – katërcipërisht keq. Votimi me postë – katërcipërisht keq. Ky proces elektoral ka qenë i demoluar nga fillimi deri në fund”, deklaroi Selmanaj.

Deklaratën e plotë të Driton Selmanajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

YouTube video player

Komento: