Shala: Kosova që tri vjet pa rezerva shtetërore – njëherë u blenë e nuk erdhën kurrë

21:36 | 16 Maj 2025
shala:-kosova-qe-tri-vjet-pa-rezerva-shteterore-–-njehere-u-blene-e-nuk-erdhen-kurre

Ferat Shala, deputet nga radhët e PDK-së, ka thënë se shteti i Kosovës ka dështuar totalisht në sigurimin e rezervave shtetërore.

Shala thotë se edhe pse është ndarë buxhet në secilin vit për rezerva shtetërore, ato nuk janë siguruar – edhe pse një gjë e tillë është obligim ligjor e shtetëror.

“Qeveria, kur e ka miratuar buxhetin për vitin 2022, 2023, 2024 dhe të 2025, është lavdëruar që e ka trefishuar atë. Po ju them me përgjegjësi të plotë që as këtë vit, e as në tri vitet mbrapa, shteti që e ka obligim me i siguru rezervat shtetërore nuk e ka bërë atë – së paku në mënyrë transparente, qysh e thotë ligji. I ka shpall, i ka anuluar; një e ka shpall dhe i ka dalë skandal, për shkak se malli gjysma ka ardhë, gjysma tjetër jo. Është lëndë në hetuesi dhe që prej atëherë nuk kemi asnjë informatë se çfarë ka ndodhur me atë lëndë. Depot janë të thata sepse nuk kanë blerë asgjë – as në 2023, as 2024, as tash. Viti i tretë është me zero rezerva. Rezervat shtetërore janë obligim ligjor dhe për to është aprovuar buxheti në Kuvend,” – ka thënë deputeti Shala në EURO n’T7.

Sigurimi i rezervave shtetërore, që prej fillimit të kësaj qeverie, sipas deputetit Shala, është përcjellë me skandale të shumta dhe me lëndë në gjykata – epilogu i të cilave nuk dihet as sot, pas tri vjetëve.

“Një gjë dihet – se malli është blerë e nuk ka ardhur kurrë. Një gjë tjetër po ashtu dihet – se gruri i blerë atëherë është, sikur rasti sot me energjinë, me çmim shumëfish më të lartë sesa çmimi në bursa. Një pjesë e mallit është kontraktuar në Poloni dhe nuk ka ardhur kurrë – as vaji, as sheqeri e as shumëçka tjetër. Shteti ndërhyri njëherë, por ende s’ka epilog, derisa të njëjtit njerëz sot menaxhojnë edhe me rezervat, edhe me ministritë, edhe me gjithçka tjetër,” – ka shtuar Shala.

Deri më tani nuk ka asnjë raport për gjendjen e stoqeve për rezerva shtetërore, derisa arsyetimi i qeverisë se këto janë “sekret shtetëror”, sipas Shalës, nuk vlen – sepse sekret është vetëm vendndodhja e tyre.

Komento: