Siguria në vendin e punës, prokuroria ndalon punimet e rrezikshme në disa lokacione në Fushë Kosovë

18:54 | 06 Maj 2025
siguria-ne-vendin-e-punes,-prokuroria-ndalon-punimet-e-rrezikshme-ne-disa-lokacione-ne-fushe-kosove

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se ka realizuar disa aktivitete hetimore lidhur me ngritjen e sigurisë në vendin e punës. 

Kështuqë, të hënën më 06.05.2025, ka evidentuar se në disa vendpunishte në Komunën e Fushë Kosovës, po kryheshin punime pa pajisje të nevojshme të sigurisë në vendin e punës, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve.

Me këtë rast, Prokuroria njofton se ka ndaluar punimet në këto lokacione si dhe është inspektuar një aksident në vendin e punës në fshatin Mazgit të Obiliqt.

Për këtë, në njoftimin e Prokurorisë thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalur edhe prokurori  për rastet e veprave penale që ndërlidhen me sigurinë në vendin e punës, së bashku edhe me inspektorët e ndërtimit.

Ata, thuhet se kanë ndërmarrë masa për këtë për parandalimin e  pasojave të mundshme gjatë punës dhe rritjes së nivelit të sigurisë në vendin e punës, ku për shkak të mos ndërmarrjes së masave të përgjithshme të sigurisë dhe shëndetit në punë, mungesës së skelave, mos mbylljes së ashensorëve dhe mos mbylljes së shkallëve, janë ndaluar punimet në disa vendpunime.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me Inspektorët përkatës, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme brenda kompetencave ligjore, me qëllim të preventivës së veprave penale të kësaj natyre dhe zvogëlimit të rasteve me pasojë vdekje në vendin e punës”- thuhet në njoftimin e datës 06.05.2025.

Komento: