Skandal në Rahovec: Ushqimi i pacientëve të Hemodializës blihet në qebaptore pa kontratë (dokument)

11:25 | 23 Maj 2025
skandal-ne-rahovec:-ushqimi-i-pacienteve-te-hemodializes-blihet-ne-qebaptore-pa-kontrate-(dokument)

Komuna e Rahovecit e cila drejtohet nga Smajl Latifi përmes një vendimi ka anuluar tenderin për furnizim me ushqim për pacientet e Hemodializës që gjenden në këtë qytetet, deri sa të nijetit me ushqim i ka furnizuar pa kontratë nga një Qebaptore që operon në këtë komunë, raporton Front Online.

Në bazë të dëshmive të siguruara nga portali shihet se gjatë muajit mars të këtij viti komuna ka pranuar disa fatura nga qebaptore Shtavica që gjenden në këtë qytet.

Sipas faturës shihet se kjo e fundit ka furnizuar me ushqim 27 paciente të Hemodializës me çmim prej 3.5 euro për person.

Fatura e Opratorit Ekonomik Shtavica-5 e datës 08.03.2025

Para disa ditësh portali Front Online kishte raportuar se komuna pasi ka zgjedhur Operatorin Ekonomik për furnizim me pije dhe ushqim për pacientet e Hemodializës, ka marrë vendim që ta anuloj këtë proces prokurimi në mungesë të mjeteve.

Në arsyetimin e komunës për anulimin e këtij procesi të Prokurimit thuhet se Njësia Kërkuese nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Përkujdesjes Sociale, kërkon që të anulohet ky aktivitet i prokurimit duke cekur se nuk ka mjete buxhetore për shkak se janë shpenzuar nga thesari.

Urdhëresa nga kryetari i komunës Smajl Latifi për shpalljen e këtij procesi të Prokurimit

“Andaj nuk mund te bëjmë kontrata pa sigurim te mjeteve financiare” thuhet në arsyetim.

Por, në realitet kjo nuk qëndron. Për këtë proces prokurimi komuna i ka zotuar mjetet, por për ta shpallur këtë proces gjithashtu kishte dhënë urdhër edhe kryetari i komunës Smajl Latifi.

Zyra e Prokurimit e cila konfirmon se ka mjete për këtë proces Prokurimi

Në bazë të dëshmive të siguruara nga portali shihet se komuna në vazhdimësi pacientet e Hemodializës i ka furnizuar nga një Qebaptore, e që e njëjta nuk ka mundur të aplikoj në këtë proces të prokurimit, pasi që nuk ka plotësuar kriteret e vendosura nga komuna.

Sallketu thotë se komuna nuk ka buxhet

Saranda Sallteku, drejtoreshe e Shëndetësisë në komunën e Rahovecit tregon për Front Online se procesi i prokurimit për furnizimin me ushqim dhe pije për pacientët e Hemodializës është anuluar për shkak se mjetet buxhetore të planifikuara për këtë qëllim janë tërhequr nga Thesari, si pasojë e obligimeve që kanë rezultuar nga zbatimi i kontratës kolektive. Sipas drejtoreshës vendimi është marrë në përputhje me dispozitat ligjore dhe nën mbikëqyrjen institucionale, me qëllim shmangien e paqartësive apo kontestimeve të mundshme në procesin e prokurimit.

Por, pavarësisht se komuna paguan fatura të Qebaptores për furnizim me ushqim, drejtoresha Sallteku nuk jep më shumë të dhëna në këtë drejtim.

“Aktualisht, komuna nuk ka ndonjë kontratë të vlefshme me ndonjë operator ekonomik për këtë qëllim, si pasojë e anulimit të procesit të tenderimit. Çdo shërbim i ofruar deri më tani ka qenë në përputhje me kornizën ligjore dhe mbështetur në procedurat emergjente ose paraprake që respektojnë rregulloret publike. Komuna realizon të gjitha pagesat ndaj operatorëve ekonomikë vetëm përmes transferëve bankare, në mënyrë të rregullt, të dokumentuar dhe të audituar, siç kërkohet me ligj. Pagesat në para të gatshme (cash) nuk janë të aplikueshme për këto kontrata” ka thënë më tutje ajo.

Portali Front Online ka kërkuar nga komuna të dhëna rreth shumës së mjeteve që janë shpenzuar pa kontratë për furnizim me ushqim për pacientet e hemodializës, por as për këtë drejtoresha nuk ka dhënë informacione.

“Për këtë pyetje specifike që kërkon të dhëna financiare të detajuara, jemi në proces të përgatitjes së raporteve përmbledhëse. Sapo të përfundojë përpunimi i të dhënave nga Departamenti për Financa, do të mund të ofrojmë një shifër zyrtare, sipas kërkesës suaj, brenda afateve ligjore për përgjigje në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike” ka përfunduar ajo. / Front Online /

 

Komento: