Hiç më pakë se 50 mijë euro të taksapagueseve kosovare do të shpenzohen në një tender të komunës së Gjakovës për asgjësimin e rreth 10 mijë kilogram barnave si dhe rreth 9 mijë kilogram mbetje medicionale, raporton Front Online.
Në komunën e Gjakovës mohojnë se kontrata e nënshkruar mes Komunës së kompanisë së kontraktuar “MetBat” ka filluar të zbatohet. Por, në anën tjetër vetë pronari i kompanisë së kontraktuar nga komuna Nardi Kadriu konfirmon se deri më tash ka asgjësuar një sasi të barnave dhe mbetjeve medicinale nga Komuna e Gjakovës.
Adelina Shehu, drejtoreshe e Shëndetësisë ne komunën e Gjakovës, mohon se përmes tenderit në fjalë komuna e Gjakovës do të asgjësoj barna me afat të skaduar.
“Nuk bëhet fjalë për barna të skaduara apo të papërdorura që kërkojnë asgjësim.
Materiali i asgjësuar përfshin vetëm mbetje medicinale të krijuara pas aplikimit të barnave tek pacientët, siç janë: Shiringa të përdorura, shpuese, bebisisteme, kanulla, infuzione pas përdorimit, doreza kirurgjike dhe njëpërdorimshme, ampula dhe flakona të zbrazëta etj. Të gjitha këto konsiderohen mbetje të rrezikshme medicinale dhe duhet të trajtohen përmes procedurave të licencuara të asgjësimit, në përputhje me legjislacionin përkatës” tregon ajo për Front Online.
Në pyetjen e portalit se sa është kostoja e blerjes së barnave të cilat tashmë duhet të asgjësohen për shkak të skadimit të afatit të përdorimit, drejtoresha Shehu mohon sërish, sipas saj në komunën e Gjakovës nuk ka as kosto blerjeje për barna që janë asgjësuar.
“Duke qenë se nuk bëhet fjalë për barna të skaduara, por për mbetje pas përdorimit, nuk kemi të bëjmë me ndonjë humbje të barnave apo dëmtim të mjeteve publike nga keq menaxhimi i tyre. Për rrjedhojë, nuk ka as kosto blerjeje për barna që janë asgjësuar” tregon më tutje ajo.
Kompania “MetBat”, fituese e kontratës për asgjësimin e 10 mijë kilogramëve barna të papërdorshme në Kosovë, deri më tani ka përfunduar vetëm një pjesë të këtij procesi.
Pronari i kompanisë, Nardi Kadriu, për FrontOnline ka deklaruar se aktualisht janë asgjësuar rreth 2 deri në 3 mijë kilogram barna, ndërsa pjesa tjetër është ende në pritje për t’u trajtuar.
“Po, një pjesë e kanë asgjësu, nuk e di saktë – 2 mijë apo 3 mijë kilogram janë asgjësuar. Pjesën tjetër jemi duke pritur. Janë disa barna që jemi duke pritur konfirmim prej MSH-së, disa që kanë skadu afati, dhe duhet me marrë një konfirmim nga ta që me mujtë me fillu me procedurën e asgjësimit të tyre,” ka thënë Kadriu.
Ai ka sqaruar se pjesa më e madhe e mbetur për asgjësim përbëhet nga mbetje medicinale, të cilat nuk mund të asgjësohen pa një miratim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë.
Procedurat burokratike po vonojnë ecurinë e procesit, që sipas Kadriut, është thelbësore për mbarëvajtjen e sigurisë mjedisore dhe shëndetësore.
“Jemi duke pritur konfirmim nga MSH që me vazhdu asgjësimin e barnave pa afat, por e di që janë procedura,” shtoi ai.
Zëvendëskryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës (OFK), Astrit Haxhijaha, për FrontOnline, ka deklaruar se pavarësisht mungesës së menaxhimit të duhur, asgjësimi i barnave të tepërta është një procedurë e pashmangshme dhe e domosdoshme.
‘’Sasia e barnave në cilat për çfarë periudhe, nëse nuk ka pasur asnjë menaxhim të mirë, tash ka ardhur koha për asgjësimin e tyre. Por kjo është procedurë e patjetërsueshme që duhet bërë asgjësimi prej kompanisë së lincensuar’’ tha ai.
Haxhijaha theksoi se barnat, të cilat janë porositur në sasi të mëdha dhe kanë qëndruar për periudha të gjata pa u përdorur, tani duhet t’i nënshtrohen procesit të asgjësimit, duke ndjekur procedurat ligjore përmes kompanive të licencuar, duke shtuar se se situata është rezultat i mungesës së një plani të mirë menaxhues dhe planifikimi afatgjatë në furnizimin me barna.
“Është e vërtetë që nuk është dashur të porositet ajo sasi, sepse është dashur të menaxhohet më mirë. Por kjo është një çështje tjetër. Procedura e asgjësimit është e patjetërsueshme dhe duhet të realizohet nga kompani të licencuara”, deklaroi ai.