Standardet e VV’së në kohëra tjera, Kurti dhe Haxhiu: “I pari fitues teknik”, “Veseli të tërhiqet nga kandidatura”

14:42 | 09 Maj 2025
standardet-e-vv’se-ne-kohera-tjera,-kurti-dhe-haxhiu:-“i-pari-fitues-teknik”,-“veseli-te-terhiqet-nga-kandidatura”

Në trembëdhjetë seanca radhazi, partia që drejton Albin Kurti, është duke insistuar në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit. Ndonëse nuk i kanë votat e nevojshme, Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e vegjël të koalicionit po insistojnë se janë në të drejtën e tyre meqë Kushtetuta ua garanton që ta kenë të parin e Kuvendit meqë i kanë fituar zgjedhjet, shkruan Gazeta Express.

Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti ka injoruar deklarimet e partive të tjera që kanë qenë në opozitë legjislaturën e fundit, të cilat kanë kërkuar ndërrim të kandidaturës nga LVV-ja dhe kanë sugjeruar disa emra të tjerë të cilët mund të marrin votat e mjaftueshme.

Kjo është pritur keq nga LVV-ja dhe deputetët e apostrofuar, duke thënë se s’mund të përcaktojnë partitë e tjera se kë e propozon partia fituese kandidat për kryetar të Kuvendit, shkruan Gazeta Express.

Megjithatë në të kaluarën, vetë Albulena Haxhiu dhe kreu i LVV-së, Albin Kurti, kishin pasur qëndrime politike, të cilat janë në shpërputhje të plotë me politikën që sot po ndjek LVV-ja.

Albulena Haxhiu në vitin 2014, i kishte kërkuar koalicionit PDK-AAK-NISMA që të tërhiqen nga kandidatura e Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit.

“Ajo që është e rëndësishëm është që koalicioni PAN duhet të tërhiqet nga kandidatura për Kadri Veselin. Duhet të tërhiqen nga propozimi për Kadri Veselin ndonëse kanë thënë se i kanë numrat, por shihet qartë që s’i kanë”, kishte thënë Albulena Haxhiu në vitin 2014.

Ndërsa kreu i LVV-së, Albin Kurti, kur kishte folur për zgjedhjet e 8 qershorit të vitit 2014, PDK-në e kishte quajtur si “fituese teknike” dhe se kush del i pari s’ka rëndësi, meqë Kosova s’është Republikë monarkiste.

Sipas Kurtit, në një Republikë parlamentare si Kosova ka rëndësi se kush e krijon shumicën në Kuvendin e Kosovës.

“Ne e dimë që insistimi i partisë në pushtet që është parti shtet që e ka lënë Kosovën pa Republikë e që po përpiqet ta lë edhe pa Kuvend, është fituese teknike e zgjedhjeve të 8 qershorit. Mirëpo ne theksojmë që nuk është Republika parlamentare çështje se kush është i pari, sepse kush është i pari është logjikë monarkiste”, kishte deklaruar Albin Kurti në vitin 2014.

Në zgjedhjet e 8 qershorit Partia Demokratike e Kosovës (PDK) së bashku me partitë e koalicionit ka marrë 222.181 vota apo 31.38 %, më pas Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), 184.596 vota, apo 25.24 %, Lëvizja Vetëvendosje 99.397 vota apo 13.59%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 69.793 vota apo 9.54%, Lista Serbe 38.199 vota apo 5.22% dhe Nisma për Kosovën 37.681 vota, ose 5.15%./GazetaExpress/

VIDEO: Minuta e 30-të

Komento: