Presidentja Vjosa Osmani po përfaqëson Kosovën në Samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian, që po mbahet në Tiranë.
Ajo ka thënë se pjesëmarrja e gjashtë e vendit në këtë samit është dëshmi se zëri i Kosovës është i pranishëm, i domosdoshëm dhe kontribues në platformat ku diskutohen sfidat e përbashkëta dhe vendoset për të ardhmen e kontinentit.
Osmani ka bashkangjitur edhe disa fotografi nga takimi, ku shihet duke biseduar me Kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, Presidentin e Francës, Emanuel Macron, Kryeministrin e Britanisë, Keir Starmer, Presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan, Shefin e NATO’s, Mark Rutte, e liderë të tjerë. Në një foto tjetër shihet duke biseduar me Kryediplomaten e BE’së, Kaja Kallas dhe Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
“Sot në Tiranë filloi Samiti i liderëve të Komunitetit Politik Evropian. Pjesëmarrja jonë e gjashtë në këtë samit është dëshmi se zëri i Kosovës është i pranishëm, i domosdoshëm dhe kontribues në platformat ku diskutohen sfidat e përbashkëta dhe vendoset për të ardhmen e kontinentit tone”, ka shkruar Osmani.