Takimi i ftuar nga presidentja, KDI: Hap i duhur drejt zhbllokimit

20:18 | 12 Maj 2025
takimi-i-ftuar-nga-presidentja,-kdi:-hap-i-duhur-drejt-zhbllokimit

Instituti Demokratik i Kosovës, e ka mirëpritur ftesën e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, për takime konsultative me partitë politike më 15 maj.

KDI e cilësoi këtë si “një hap të duhur drejt zhbllokimit të ngërçit aktual dhe përmbushjes së detyrimit të saj për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve”.

Kjo organizatë rikujton se kishte kërkuar ndërmarrjen e një iniciative të tillë më shumë se dy javë më parë, duke theksuar se “seancat e përsëritura të Kuvendit, pa marrëveshje politike dhe pa progres real, po dëmtojnë dhe pamundësojnë konstituuimin e institucioneve”.

“Në këtë fazë kritike, kur vendi ndodhet në një ngërç institucional që po minon funksionimin demokratik, inkurajojmë të gjitha partitë politike të marrin pjesë në këtë takim, në mënyrë që ai të shërbejë si një mundësi për të nxitur dialogun politik e ndërpartiak – si domosdoshmëri për tejkalimin e situatës aktuale”, thuhet më tej në reagimin e KDI-së.

Instituti Demokratik i Kosovës, njëkohësisht iu ka kërkuar partive politike që “pjesëmarrja në këtë takim të mos jetë simbolike, por shprehje e një përgjegjësie konkrete për t’i shërbyer funksionalizimit të institucioneve”.

Ndërkaq, krejt liderët e partive që në legjislaturën e kaluar ishin opozitë iu përgjigjen me “PO” shefes së shtetit.

Derisa nesër do të jetë përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit, e cila nuk po ndodh që nga 19 prilli.

Lëvizja Vetëvendosje, po insiston në emrin e Albulena Haxhiut, për të paren e Parlamentit, derisa PDK, LDK e AAK po e kundërshtojnë Haxhiun duke e cilësuar si përçarëse.

Komento: