Takimi për liberalizimin e tregut të energjisë, Autoriteti i Konkurrencës refuzon ftesën e Bajramit

17:42 | 20 Maj 2025
takimi-per-liberalizimin-e-tregut-te-energjise,-autoriteti-i-konkurrences-refuzon-ftesen-e-bajramit

Autoriteti i Konkurrencës ka refuzuar ftesën e LDK’së për takimin lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

“Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës njofton opinionin publik, mediat dhe palët e interesit se nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar për datën 21 maj 2025, i organizuar nga përfaqësues të subjektit politikë parlamentar, në takim me komunitetin e biznesit, ZRrE-së dhe deputetë të partive parlamentare, lidhur me vendimin për kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike.”

Sipas këtij institucioni vendimi për mospjesëmarrje është i bazuar në mandatin kushtetues dhe ligjor të Autoritetit të Konkurrencës.

“Vendimi për mospjesëmarrje është i bazuar në mandatin kushtetues dhe ligjor të Autoritetit të Konkurrencës, si dhe në nevojën për ruajtjen e pavarësisë dhe paanshmërisë institucionale, e cila është shtyllë themelore për funksionimin dhe integritetin e institucionit.”

Autoriteti i Konkurrencës thotë se është agjenci e pavarur dhe se për punën e vet i përgjigjet Kuvendit.

“Bazuar në nenin 21, paragrafi 1 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti është agjenci e pavarur, që për punën e vet i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më tej, paragrafi 3 i këtij neni përcakton qartë se: “Ndalohet çdo ndërhyrje, politike, publike ose private që mund të cenojë pavarësinë ose paanshmërinë e Autoritetit”. Kjo dispozitë nënvizon domosdoshmërinë që Autoriteti të veprojë vetëm mbi bazën e ligjit dhe të kompetencave të tij, pa u përfshirë në formate politike, debate ad-hoc apo iniciativa të cilat nuk zhvillohen në përputhje me strukturat zyrtare shtetërore.”

“Për më tepër, në rrethanat aktuale ku Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk është i konstituar, Autoriteti nuk është në pozitë institucionale për të ndër vepruar me grupe parlamentare, deputetë individualë apo organizime me natyrë politike jashtë kuadrit formal të Kuvendit. Autoriteti i Konkurrencës mbetet i përkushtuar të veprojë në mënyrë profesionale, të paanshme dhe objektive, duke garantuar mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe funksionimin e tregut sipas parimeve ekonomike dhe të ligjshmërisë. Theksojmë se bashkëpunimi i Autoritetit me institucionet shtetërore po ndodh dhe po zhvillohet në çdo kohë, brenda kornizës së mandatit ligjor dhe në funksion të interesit publik, e posaçërisht në momentin kur të rikthehet funksionimi i rregullt i Kuvendit të Republikës së Kosovës.”

Komento: