Ushtarët e aviacionit amerikan në KFOR-it kryejnë një trajnim me rëndësi

20:21 | 24 Maj 2025
ushtaret-e-aviacionit-amerikan-ne-kfor-it-kryejne-nje-trajnim-me-rendesi

Inxhinierë shumëkombësh dhe ushtarë të aviacionit amerikan të caktuar në Komandën Rajonale Lindore të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë kryer me sukses një vendosje ajrore me ngarkesë të litarit (sling load) në Kampin e KFOR-it në Vrellë.

Ky operacion shënoi vendosjen e pengesës së fundit në një pistë stërvitore me gjithsej 27 pengesa, që sapo është përfunduar në këtë kamp.

Trajnimi i fundit shënon një etapë të rëndësishme në ndërtimin e kapaciteteve fizike dhe operacionale për trupat ndërkombëtare dhe partnerët lokalë në terren.

Kampi në Vrellë, që njëkohësisht shërben si bazë e Policisë së Kosovës, është një lokacion i rëndësishëm për aktivitete të shumta të KFOR-it çdo vit, përfshirë edhe garën “KFOR Best Squad Competition” si dhe stërvitjen “Golden Sabre”.

Për gjashtë muajt e fundit, ushtarët e KFOR-it kanë qenë të angazhuar në rinovimin e këtij kampi, përfshirë ndërtimin e pistës me pengesa, me synim të mbështesin të gjitha komunitetet që jetojnë dhe punojnë në Kosovë.

“Ky aktivitet është pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme dhe të pandërprerë”, ka njoftuar KFOR-i.

Komento: