Në seancën e 1 prilit 2025, avokati i palës së dëmtuar, Urim Vokshi, kishte propozuar që të mbyllet seanca për publikun, për shkak të ndjeshmërisë së rastiti dhe deklarimeve të të dëmtuarëve, në cilësinë e dëshmitarëve. Propozim i cili i ishte aprovuar nga trupi gjykues.
E mbyllur ka vazhduar edhe seanca e 16 majit.
Më 19 korrik 2023, Themelorja e kishte shpallur fajtor ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi, duke e dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, derisa Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylemani ishin liruar nga akuza.
Por, në dhjetor 2024, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim vetëm sa i përket pikës I të dispozitivit ndaj të akuzuarit Driton Gashi, ndërsa ka vërtetuar lirimin nga akuza për dy të akuzuarit tjerë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.
PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejt në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.