Vetëvendosje ngul këmbë, opozita propozon rrugë tjetër drejt zgjidhjes – Qeveri tranzitore apo zgjedhje të reja?

08:02 | 08 Maj 2025
vetevendosje-ngul-kembe,-opozita-propozon-rruge-tjeter-drejt-zgjidhjes-–-qeveri-tranzitore-apo-zgjedhje-te-reja?

Ngërçi institucional në Kosovë po vazhdon, pasi edhe seanca e fundit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit edhe në herën e dymbëdhjetë ka përfunduar pa rezultat.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve,  ka vendosur Albulena Haxhiun për të udhëhequr këtë post, ndërkohë që vendosi të ndryshojë mënyrën e votimit nga votim i hapur në të fshehtë, pas disa dështimeve në votim të hapur.

E ky ndryshim procedural u kundërshtua nga partitë opozitare, të cilat e konsideruan atë si manovër politike dhe qëllim për bllokim të Kuvendit.

Përtej sallës së Kuvendit, skena politike ka qenë po aq e tensionuar. Vetëvendosje i ka ofruar Lidhjes Demokratike të Kosovës mundësinë për të bashkëqeverisur, me qëllim të daljes nga kriza dhe formimit të institucioneve të reja. Megjithatë, LDK e ka refuzuar këtë ofertë, duke propozuar në vend të saj një zgjidhje tjetër: krijimin e një qeverie nacionale, gjithëpërfshirëse, që do të kishte mandat të përkohshëm deri në zgjedhjen e presidentit në fillim të vitit të ardhshëm.

Vetëvendosje është shprehur hapur kundër një formule të tillë, duke theksuar se ajo do të ishte në kundërshtim me vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje, derisa partitë opozitare kanë dhënë mesazhe positive rreth kësaj ideje.

 

PDK do qeveri të udhëhequr nga opozita e djeshme

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur dje mbledhjen e rregullt të Kryesisë në të cilën tha se ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike, bllokadën institucionale, si dhe propozimet e iniciativat politike aktuale.

PDK tha se e mbështet qëndrimin për një qeveri që përbëhet nga partitë që kanë qenë në opozitë.

“PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik”, ka deklaruar PDK.

Një qëndrim të tillë e ka përsëritur edhe sot kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili kërkon qeveri me partitë opozitare.

 

Abazi nga LDK: Qëndrimet i kemi të qarta, zgjidhjen e kemi propozuar – po presim, fundi nuk i dihet

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arjeta Abazi, për FrontOnline ka komentuar situatën politike në vend, duke theksuar se partia e saj ka mbajtur një qëndrim të qëndrueshëm dhe se propozimi për krijimin e një qeverie nacionale është bërë me qëllim të mirë.

“Transparencën e kemi. Konsistent jemi, qëndrimet nuk i luajmë, i kemi nga fushata, qëndrimin e njëjtë,” u shpreh Abazi, duke iu referuar qëndrimeve të LDK-së në raport me zhvillimet e fundit politike dhe refuzimin për të hyrë në koalicione të paqarta.

Në vazhdim, ajo shtoi se megjithëse partia që përfaqëson ka mbetur e palëkundur në parimet e saj, është treguar e gatshme për të ofruar një zgjidhje për daljen nga ngërçi institucional.

“Megjithatë e kemi menduar një zgjidhje, për shkak të ngërcit që e kemi,” theksoi ajo, duke nënkuptuar ofertën për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse deri në zgjedhjen e presidentit.

Abazi ka hedhur poshtë spekulimet e VV-së për ndonjë varësi të LDK-së nga PDK-ja.

:“Nuk kisha mendu se LDK s’mundet pa PDK-në, sepse ne jemi parti në veti dhe vendimet i marrim vetë.” tha ajo.

Në fund, ajo e krahasoi situatën me një tregim përrallor, që thotë se fundi nuk i dihet.

 “Ne e kemi nisur me qëllim të mirë idenë për Qeverinë nacionale dhe po presim. Ky është si një fillim i një përralle, fundi i së cilës nuk i dihet.” përfundoi Abazi.

 

Time Kadrijaj: Nuk ka bashkëpunim me Kurtin – jemi për formimin e Qeverisë por pa VV-në

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, për FrontOnline ka përjashtuar mundësinë e çdo bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosj, duke thënë se AAK mbështet një qeveri të opozitës, por jo me pjesëmarrjen e VV-së.

“Nuk po shohim ndonjë zgjidhje, por jemi për Qeverinë e opozitës,” tha Kadrijaj,

Ajo ka theksuar se partia e saj mbetet e hapur për bashkëpunim me subjektet opozitare, por me një vijë të kuqe të qartë ndaj VV-së.

 “Në asnjë mënyrë në Qeveri me Kurtin dhe nuk shkojmë në bisedime me ta.” shtoj ajo për FrontOnline.

Kadrijaj përjashtoi kategorikisht edhe pjesëmarrjen në takime politike ku merr pjesë Vetëvendosje.

“JO, nuk do të merrnim pjesë në një Qeveri ose takim, ku prezente është VV.” përfundoi Kadrijaj

 

Analisti  Sadiku: Nuk ka klimë për zgjedhje – qeveria tranzitore mund të ketë përkrahje ndërkombëtare

Analisti politik Arbnor Sadiku për FrontOnline ka deklaruar se zgjedhjet nuk janë zgjidhje e mundshme në situatën aktuale politike në Kosovë, duke theksuar se asnjë prej partive politike nuk është e interesuar realisht për to.

Sipas tij, krijimi i një qeverie tranzitore, siç është propozuar nga LDK, është alternativa më e qëndrueshme për momentin.

“Nuk ka klimë politike për zgjedhje, sepse askujt nuk i konvenojnë ato,” tha Sadiku për FrontOnline.

Ai vlerësoi se ideja për një qeveri tranzitore është opsioni më realist dhe më i përkrahur aktualisht.

 “Mendoj se zgjidhja më adekuate është kjo Qeveria tranzitore, sepse si duket bashkësia ndërkombëtare po e mbështet dhe krijohet mundësia për formimin e asociacionit,” u shpreh Sadiku, duke lidhur këtë formulë me zhvillimet në dialogun me Serbinë.

Sadiku gjithashtu e konsideroi të mirë ofertën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, duke theksuar se ajo nuk duhet të injorohet.

“Kjo ideja e LDK-së nuk është për t’u hedhur poshtë, pasi mund të ketë përkrahje nga SHBA,” theksoi ai.

 

Komento: