Që prej pandemisë COVID-19, në Kosovë e më gjerë flitet për rritje çmimesh. Ky trend ka vazhduar edhe në muajt e parë të vitit 2025. Madje, në prill të këtij viti ka produkte, si kafeja, që kushtojnë deri në 16 për qind më shtrenjtë sesa në prill të vitit 2024.
Rritja e çmimeve për shumë produkte bën që familjet në Kosovë, me të njëjtat paga, të mund të blejnë më pak gjëra tani. Për shembull, çmimi i mishit të viçit është rritur nga 7.78 euro, sa ishte në vitin 2020, në 11.03 euro në prill të këtij viti, shkruan Radio Evropa e Lirë.