Sot në ndërtesën e Presidencës së Serbisë është mbajtur mbledhja e Këshillit për Siguri Kombëtare, e cila ka zgjatur pothuajse dy orë dhe është drejtuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Temë kryesore e kësaj mbledhje raportohet se ishte çështja e Kosovës dhe ajo e Bosnje e Hercegovinës.
Pas përfundimit të mbledhjes, para mediave doli shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, i cili theksoi se takimi ka zgjatur më shumë për shkak të numrit të madh të temave që janë diskutuar.
“Mbledhja zgjati pak më shumë se zakonisht. Diskutuam për situatën e sigurisë në rajon, për gjendjen në Kosovë, si dhe për disa çështje që lidhen me udhëzimet dhe konkluzionet për hapat e ardhshëm,” tha Mojsiloviq.
Sipas tij, gjatë takimit, presidenti Vuçiq ka prezantuar një dokument të hartuar nga Franca dhe Gjermania, të cilin e ka cilësuar si “non-paper”. Ky dokument, sipas autoriteteve serbe, ka implikime direkte për Republikën Srpska dhe për Bosnje e Hercegovinën, dhe, siç u tha, e vështirëson pozicionin e Serbisë në rajon. /Vijesti