Ky është shoferi i “Taxi Tesla” që dyshohet se kërcënoi kolegun me armë dhe bëri kaos në rrugët e Prishtinës

By Ora Info May 31, 2026 2 min read

Gentian Makolli është shoferi i kompanisë “Taxi Tesla”, i cili dyshohet se u përfshi në një incident serioz që alarmoi Policinë e Kosovës dhe përfundoi me ndalimin e tij për 48 orë.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi pasditen e 30 majit në rrugën “Uran Ajeti” në Prishtinë, ku fillimisht u raportua një konflikt mes dy kolegëve të kompanisë.

Sipas kallëzimit të viktimës, i dyshuari e kishte kanosur dhe gjatë përplasjes i kishte nxjerrë një armë, duke shkaktuar frikë dhe shqetësim. Arma e sekuestruar më pas nga Policia ka rezultuar të jetë lodër.

Pas raportimit të rastit, Policia ka nisur kërkimin e të dyshuarit, ndërsa nga kompania “Taxi Tesla” është siguruar informacion për vendndodhjen e tij.

Sinjali mëson se gjatë tentativës për lokalizimin e tij, Makolli dyshohet se ka kryer manovra të rrezikshme në trafik, duke lëvizur me shpejtësi, duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion dhe duke hyrë në kahun e kundërt të qarkullimit në disa segmente rrugore.

Më pas ai kishte braktisur veturën në rrugën “Armend Daci” dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Pas disa orësh, i dyshuari është vetëdorëzuar në Polici, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprat penale “Kanosje” dhe “Rrezikim i trafikut publik me veprim apo mjet të rrezikshëm”, ndërsa është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

About the author

Ora Info

OraInfo publishes news, business, travel and technology stories focused on Kosovo and the wider region.