Njoftim i rëndësishëm për përdoruesit e ujit të pijshëm

By Ora Info June 3, 2026 2 min read

Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit ka nxjerrë vendim për ndalimin e përdorimit të ujit të pijshëm nga sistemi publik i furnizimit për qëllime që nuk lidhen me nevojat themelore të konsumit njerëzor gjatë sezonit veror.

Sipas vendimit, ndalohet përdorimi i ujit të pijshëm për ujitjen e rrugëve, trotuareve dhe sipërfaqeve të tjera publike apo private, larjen e automjeteve, ujitjen e kopshteve, livadheve dhe tokave bujqësore, mbushjen e pishinave, si dhe për çdo përdorim tjetër që nuk ka për qëllim nevojat themelore të konsumit njerëzor.

Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit obligon ofruesit e shërbimeve të ujit të monitorojnë në terren, të identifikojnë dhe evidentojnë rastet e keqpërdorimit të ujit të pijshëm, si dhe të ndërmarrin masa për reduktimin e furnizimit me ujë në rastet e shfrytëzimit që bie në kundërshtim me vendimin, njofton Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se gjatë sezonit veror praktika e konsumit të ujit të pijshëm është në rritje, ndërsa është konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e ujit përdoret për qëllime që nuk lidhen me nevojat themelore të konsumit njerëzor.

Sipas Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, këto veprime ndikojnë drejtpërdrejt në zvogëlimin e kapaciteteve furnizuese dhe rrezikojnë furnizimin e rregullt e të qëndrueshëm me ujë të pijshëm.

Vendimi ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2026 dhe do të zbatohet gjatë sezonit veror deri më 31 tetor 2026.

About the author

Ora Info

OraInfo publishes news, business, travel and technology stories focused on Kosovo and the wider region.