Policia dhe ekipet mjekësore në aksion, shpëtohet një fëmijë në Batllavë
Një ngjarje që mund të kishte përfunduar me pasoja tragjike është shmangur falë reagimit të shpejtë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës në zonën e Liqenit të Batllavës, në komunën e Podujevës.
Sipas njoftimit të policisë, incidenti ka ndodhur të dielën rreth orës 12:30, kur gjatë patrullimit në këtë zonë, një njësi policore është njoftuar për një fëmijë të nxjerrë nga uji në gjendje të rënduar.
Policët kanë intervenuar menjëherë, duke i ofruar ndihmën e parë dhe duke kryer procedurat e reanimimit kardiopulmonar (CPR), të cilat kanë ndikuar në stabilizimin e gjendjes së fëmijës.
Pak minuta më vonë në vendngjarje ka arritur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili e ka transportuar fëmijën për trajtim të mëtejshëm në institucionet shëndetësore.
Autoritetet kanë vlerësuar se reagimi i shpejtë dhe profesional i zyrtarëve policorë ka qenë vendimtar në shpëtimin e jetës së të miturit.
