Vrasja e “Radullës” në Prishtinë, Prokuroria nis analizimin e video-incizimeve

By Ora Info May 28, 2026 2 min read

Arblind Pireva, është personi që dyshohet se qëndron pas vrasjes së rëndë që tronditi Prishtinën mbrëmjen e së martës.

Lidhur me këtë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, menjëherë pas pranimit të informatave, njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Menjëherë pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës, në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Prokurori Kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, si dhe njësitet e tjera relevante, të cilët kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në kuadër të këtyre veprimeve është mundësuar edhe sigurimi dhe analizimi i video-incizimeve nga kamerat e sigurisë, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

“Po ashtu, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia K9, me qëllim të gjurmimit të lëvizjeve të personit të dyshuar dhe viktimës. Ndërkaq, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë për obduksion”.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ai dyshohet se e qëlloi për vdekje Agron Hajdarin në rrugën “Rifat Berisha”, ku viktima mori plagë të rënda nga arma e zjarrit në kokë, gjoks dhe shpinë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

About the author

Ora Info

OraInfo publishes news, business, travel and technology stories focused on Kosovo and the wider region.