Vrasja e ‘Radullës’ në Prishtinë, vjen reagimi nga ‘Plisat’
Grupi i tifozëve “Plisat” ka reaguar pas vrasjes së Agron Hajdarit, i njohur me nofkën “Radulla”, duke shprehur dhimbjen për humbjen e një prej anëtarëve të kahershëm të tribunës së Prishtinës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, “Plisat” njoftuan se Hajdari kishte qenë për më shumë se dy dekada pjesë e pandashme e grupit, duke kontribuar vazhdimisht për qytetin, klubin dhe Kombëtaren.
“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se ka ndërruar jetë anëtari ynë, Agron Hajdari, Radulla. Për më shumë se dy dekada ai ishte pjesë e pandashme e tribunës dhe Plisave”, thuhet në reagimin e tyre.
Ata po ashtu i kanë shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë tifozëve të grupit, derisa mesazhin e kanë përmbyllur me fjalët: “Pusho i qetë Goni! ULTRAS NEVER DIE”.
Rasti ka tronditur opinionin në Prishtinë, ndërsa reagime dhe mesazhe ngushëllimi kanë ardhur edhe nga tifozë e qytetarë të shumtë në rrjetet sociale. /ORAinfo/

